RTSH 24 Live

Bota

Presidenti rus Putin, nuk do ta uroj Biden, pa përfunduar sfidat ligjore të deklaruara nga Trump

09/11/2020

Presidenti rus Putin, nuk do ta uroj Biden, pa përfunduar sfidat ligjore të deklaruara nga Trump
Presidenti rus, Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do ta përgëzojë presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden, derisa të zgjidhen sfidat ligjore për zgjedhjet në SHBA dhe rezultati të jetë zyrtar, njoftoi Kremlini të hënën, transmeton AP.

Putini është njëri nga liderët botërorë që nuk e kanë komentuar fitoren e Bidenit, e cila u njoftua nga mediat më të mëdha.

Ekipi i presidentit, Donald Trump, ka premtuar veprime ligjore në ditët në vijim dhe Trump ende nuk e ka pranuar humbjen e tij, ndërsa pretendon se ka pasur mashtrim në shkallë të gjerë të votuesve - deri më tani, pa ofruar prova.

Kur Trump fitoi më 2016, Putin ishte i shpejtë në urimin ndaj tij - por sfiduesja e Trumpit në ato zgjedhje, Hillary Clinton, gjithashtu pranoi humbjen të nesërmen e votimit.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve të hënën se ky vit është ndryshe.

“Padyshim, ju mund të shihni se disa procedura ligjore po ndodhin atje, të cilat u njoftuan nga presidenti në detyrë - prandaj kjo situatë është e ndryshme, kështu që ne e konsiderojmë të saktë të presim për njoftimin zyrtar", tha ai.