RTSH 24 Live

Politikë

Meta kthen në Kuvend ligjin për ‘Për gjendjen civile’: Krijon kaos në hartimin e listave të zgjedhësve

08/11/2020

Meta kthen në Kuvend ligjin për  ‘Për gjendjen civile’: Krijon kaos në hartimin e listave të zgjedhësve


Presidenti i Republikës Ilir Meta kthen në Kuvend ligjin për ‘Për gjendjen civile’, me argumentin se ndërhyrja në këtë ligj ka pasoja ligjore dhe politike.“Një ndryshim i tillë, krijon kaos në hartimin e listave të zgjedhësve. Ndërhyrja e papritur në ligjin bazë të gjendjes civile siç propozohet, duke e vlerësuar ndikimin e qënësishëm që mund të ketë në procesin zjedhor, nuk është në momentin e përshtatshëm dhe do të ketë pasojë ligjore dhe politike", thuhet në arsyetimin e Presidentit. 
Përmes ndryshimit në këtë ligj, hiqet gjoba për ata që nuk kanë deklaruar deri tani vendbanimin real, duke i lejuar të ndryshojnë njësisë administrative ku banojnë pa penalitet. Sipas ligjvënëve ky ndryshim do të sillte pasjen e të dhënave reale të regjistrimit të shtetasve. 
Por Presidenti shprehet në arsyetim se Kuvendi i Shqipërisë, nuk ka zgjedhur mënyrën më të mirë dhe të balancuar për të materializuar arritjen e qëllimit që synon përmes kësaj ndërhyrjeje legjislative të bërë në këtë formë.
“Duke dashur disiplinimin e kësaj kategorie sjelljeje të qytetarëve për një të dhënë kaq sensitive dhe të dosmosdoshme, Kuvendi pas adresimit të çështjes nga propozuesit dhe komisioni përkatës shqyrtues, duhet të gjejë rrugën e duhur për të shmangur përdorimin e ndryshimit të ligjit për qëllime të përfitimit politik të mazhorancës qeverisëse.- thuhet në argumentin e Presidentit.