RTSH 24 Live

Kulturë

Mbrojtja e teatrit antik të Finiqit, BE financon projektin që synon shndërrimin e tij në funksion të turizmit kulturor

02/11/2020

Mbrojtja e teatrit antik të Finiqit, BE financon projektin që synon shndërrimin e tij në funksion të turizmit kulturor

-Teatri antik në qytezën antike të Finiqit, në qarkun e Vlorës, është bërë pjesë e një programi që synon mbrojtjen, ruajtjen dhe shndërrimin e tij në një vlerë të plotë në funksion të turizmit kulturor, në këtë zonë, por i konceptuar në një hapësirë më të gjerë, ndërkufitare, mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke përfshirë edhe objekte të ngjashme në vendin fqinj.

Velta Danaj, përfaqësuese e Bashkisë Finiq, thotë për ATSH-në se,  është vlerësuar se zonat e Finiqit dhe Dodonit përballen me vështirësi në lidhje me shfrytëzimin e  pasurive të tyre kulturore në funksion të zhvillimit turistik dhe në ndërtimin e një modeli të suksesshëm të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik lokal rajonal. “Shumica e vizitorëve i shohin monumentet e kulturës si atraksione të momentit, duke shpenzuar vetëm disa orë në to. Kjo nënkupton se pikat e interesit kulturor të zonës ndërkufitare konsiderohen, më së shumti, si një ndalesë momentale sesa si një destinacion i integruar turistik”, thotë ajo.

Sidoqoftë, këto zona kanë një potencial të konsiderueshëm. Dy sitet arkeologjike të Finiqit dhe Dodonit përfshihen në listën e monumenteve kryesore kulturore, duke përbërë një vlerë të shtuar në trashëgiminë historike në rajon dhe në fushën e teatrit antik. Shfrytëzimi i këtyre pasurive kulturore në funksion të një ekonomie të turizmit, konsiderohet një sfidë për momentin.

Sipas Danajt, ekziston një lidhje e fortë mes turizmit dhe kulturës, e cila me ndërhyrjen e duhur mund të sjellë rritjen e atraktivitetit dhe konkurreshmërinë e një destinacioni.

Domosdoshmëria për të mbrojtur dhe ruajtur kulturën në zonën ndërkufitare, nuk është vetëm mjeti, por edhe një kusht për krijimin e autenticitet në nivel lokal, përballë një oferte globale.

Prandaj dhe, projekti i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondet Kombëtare të Shqipërisë dhe Greqisë, në kuadër të Programit ndërkufitar IPA “Greqi-Shqipëri 2014-2020” dhe që po implementohet në partneritet mes Bashkisë së Finiqit, Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Bashkisë së Dodonit dhe Eforatës së Antikiteteve të Janinës(Greqi), synon të rikonceptojë këto pasuri, në funksion të një strategjie afatgjatë, duke inkuadruar edhe elementë të tjerë, në territoret respektive.

“Pas implementimit të suksesshëm të “Projektit MILESTONES – Veprime të  përbashkëta për promovimin e karakteristikave të përbashkëta kulturore të përqendruara në dy teatrot antikë të Finiqit dhe Dodonit”, përmes të cilit realizuam strukturimin e infrastrukturës në Parkun e Finiqit, ndërtimin e biletarisë dhe sinjalistikën e nevojshme, ka nisur puna tashmë për projektin Milestone II dhe Bashkia e Finiqit është duke punuar aktualisht me partnerët nga Greqia dhe Shqipëria për të nxitur zhvillimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në zonën ndërkufitare”, sqaron Danaj.

Qëllimi kryesor është mbrojtja dhe ruajtja e dy teatrove antikë, duke trajtuar kërcënime dhe rreziqe të mundshme përmes, ndër të tjerash, instalimit të mekanizmave inteligjentë parandalues ​​dhe pajisjeve teknologjike, të cilat do t’i bëjnë këto zona më të aksesueshme për vizitorët.

Veç kësaj, prioritetet specifike janë përmirësimi dhe promovimi i mëtejshëm i trashëgimisë kulturore ndërkufitare, pasurimi i monumenteve të kulturës përmes rehabilitimit të 2 Kishave Bizantine, zgjerimi i rrjetit të atraksioneve kulturore dhe ndërlidhja e kulturës me turizmin tematik.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është vlerësuar turizmi i të rinjve, i cili po njeh një rritje të shpejtë vit pas viti dhe aktualisht, zë të paktën 20% të tregut të përgjithshëm turistik. Përmes zhvillimit të aplikacioneve dixhitale,  tureve virtuale 360 gradë dhe mjeteve të tjera multimediale, organizimi në terren i udhëtimeve me gazëtarë nga dy vendet, do të synohet të përfshihet edhe ky target grup, ashtu sikundër do të realizohen përfitime konkrete për banorët e zonës, duke përfshirë një tërësi aktorësh lokalë e më gjerë në sektorët e kulturës dhe turizmit, ku bëjnë pjesë organizata publike e private, arkeologë, operatorë turistikë, banorë të zonës, studentë, etj.

Qyteti antik i Finiqit, në jug të vendit, është një nga vlerat arkeologjike dhe historike më të njohura në Shqipëri.

Historia e tij nis në shekullin V. para Krishtit dhe kalon në disa faza. Fillimisht ishte kryeqendra e fisit ilir të kaonëve dhe më pas, në shek. III para Krishtit, u shndërrua në kryeqytet të të gjithë shtetit të Epirit.

Teatri, me 17 000 vende, ishte një nga objektet kryesore të tij, që u ndërtua në tre faza, duke nisur nga shekulli IV dhe III, para Krishtit

ATSH-Harilla Koçi