RTSH 24 Live

Ekonomi

Kufizimi i lëvizjes së mjeteve për shkak të pandemisë, të ardhurat nga kartoni jeshil rënie me 40%

03/11/2020

Kufizimi i lëvizjes së mjeteve për shkak të pandemisë, të ardhurat nga kartoni jeshil rënie me 40%

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik që lidhen me sigurimin e përgjegjësisë së përdoruesit të automjeteve për dëmet shkaktuar palëve të treta, gjatë periudhës janar-shtator 2020 arritën rreth 7,5 miliardë lekë, ose 6.9% më pak se në periudhën janar-shtator 2019.

Referuar të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-shtator, pati një rritje prej 3.4% të vëllimit të primeve të shkruara bruto.

Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5% krahasuar me periudhën janar-shtator 2019.

Produkti karton jeshil që lidhet me siguracionin e detyrueshëm për mjetet me targa shqiptare që qarkullojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në periudhën janar-shtator pati një ulje prej 40.69% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 58% krahasuar me periudhën janar-shtator 2019.

Kohëzgjatja e siguracionit për produktin karton jeshil mund të jetë 15 ditë, 1 muaj,3 muaj, 6 muaj ose 1 vit.

Produkti sigurim kufitar, në periudhën janar-shtator, pati një ulje 60% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-shtator 2019. Edhe numri i kontratave u ul me 67%.

Kjo erdhi si rezultat i kufizimit të lëvizjeve për shkak të pandemisë së COVID-19 ( ATA)