RTSH 24 Live

Kosova

Kryetari i LDK, Mustafa

09/11/2020

Kryetari i LDK, Mustafa
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit duhet të ketë një marrëveshje, e cila siguron përkrahje të gjerë dhe 80 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Mustafa i bëri këto komente pas një takimi me Grupin Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, pasi Gjykata Speciale konfirmoi akuzat ndaj tij, këtë detyrë po e ushtron kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Mirëpo, në bazë të Kushtetutës ajo mund të qëndrojë në këtë detyrë më së shumti 6 muaj.

Koalicioni aktual qeverisës i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe pakicat nuk e kanë shumicën prej 80 deputetëve të Kuvendit. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka shpallur kandidaturën për president, por dy partitë tjera të koalicionit kanë qenë të rezervuara lidhur me këtë kandidaturë.

Për zgjedhjen e presidentit të ri duhen votat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës apo të Lëvizjes Vetëvendosje. Lëvizja Vetëvendosje insiston në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se ende nuk ka një vendim të PDK-së që ata do të bëjnë një propozim të kandidatit për president.

“Është parti e cila është pas nesh, parti e tretë me rradhë për nga numri i deputetëve, kjo është evidente, por në pikëpamje të presidentit është çështje e tyre, por edhe çështje e jona që duhet ta diskutojmë”, tha Mustafa.