RTSH 24 Live

Kosova

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, del para Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës

09/11/2020

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, del para Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë para Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, e Jakup Krasniqi, sipas aktakuzës së publikuar nga Specialja, kishin dhënë udhëzime, instruksione dhe urdhra lidhur me kundërshtarët e tyre, por, përveç kësaj, ata thuhet të kenë marrë pjesë personalisht në frikësimin, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve.

Ish-presidenti Thaçi po mbrohet nga një grup ndërkombëtar avokatësh, nga Uellsi, SHBA dhe Franca. Në seancën e sotme, David Hooper, anëtar i gjykatës së Uellsit, që mbron Thaçin që në fillim kundërshtoi procedurën e ndjekur nga Gjykata e Hagës.

“Ky proces është realizuar pa njoftuar mbrojtjen në kohën e duhur, do të bashkëpunoj me GJykatën, ashtu siç edhe vetë Zoti Thaçi ka deklaruar gjatë këtyre vite me themelimin e këtij institucioni. Këtë akuzë e keni para 6 mujash, ne mësuam për herë të parë, për mendimin tim ishte të mërkurën në mbrëmje apo të enjten, pra nuk ishte e mundur që të krijonim grup apo të thërrisnim  njerëz që të ishin këtu. Nga ana e jonë e kemi të pakuptimtë, ose ta kuptojmë se pse është vepruar në këtë mënyrë”, tha avokati mbrojtës.

Në aktakuzë përmenden disa raste, kur të njëjtët sipas dëshmitarëve janë parë në situata të tilla, si në Rahovec, kur pretendohet se ishin burgosur disa civilë serbë, ku ishin prezentë Thaçi, Veseli e Selimi.

Në një nga pikat përmendet se Thaçi e Selimi kishin bërë disa veprime në frikësimin mbi njësitë që ishin të lidhura me LDK-në, duke iu referuar FARK-ut.

“43. Në disa raste, përfshirë atë në fillim të shtatorit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi kërcënuan dhe përdorën forcë mbi njësitet e lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) që lidheshin me Qeverinë në ekzil”, thuhet ndër tjerash në aktakuzë.

Thaçi ashtu si edhe pjesëtarët e tjerë akuzohen si vrasje si krim kundër njerëzit, vrasje të paligjshme si krim lufte dhe zhdukje me forcë ndaj personave si krime kundër njerëzit.