Fitorja e Joe Biden, ka sjellë edhe reagime të politikës botërore. Liderët evropianë e kanë përgëzuar atë për fitoren.
“Urime Joe Biden për zgjedhjen si Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Kamala Harris, për arritjen e saj historike. SHBA është aleati ynë më i rëndësishëm dhe e mirëpres bashkëpunimin në prioritetet tona të përbashkëta, nga ndryshimet klimatike, tregtia dhe siguria”, ka thënë kryeministri britanik Boris Johnson, me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Për fitoren e Biden ka reaguar edhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili jo vetëm i ka përgëzuar ata për fitoren, por edhe u ka bërë ftesë për bashkëpunim. Presidenti i Francës tha se “Amerikanët kanë përzgjedhur presidentin e tyre. Kemi shumë për të bërë për të tejkaluar sfidat e ditëve të sotme. Le të nisim të bashkëpunojmë!”
Presidentja e Komisionit Evropian, në mesazhin e saj urues, ka risjellë në vëmëndje miqësinë amerikano- evropiane.
"Së bashku, kemi ndërtuar një partneritet transatlantik të paprecedent, të rrënjosur në historinë e përbashkët dhe vlerat demokratike, lirinë, të drejtat e njeriut, drejtësinë sociale dhe ekonominë e tregjeve të hapura”., tha Von Der Leyen. /rtsh.al